Nis mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, mbahet me dyer të mbyllura

Mbledhja e Grupin Parlamentar të PS-së sapo ka nisur siç ishte njoftuar në orën 10:00. Mësohet se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Mbledhja është raportuar se do të nisë me fjalën e kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla. Më pas, drejtuesit politikë në qarqe do të raportojnë mbi ecurinë e punës në terren dhe problematikat e evidentuara në organizatat socialiste.

Një nga pikat kyçe të rendit të ditës lidhet me negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka pritet të raportojnë mbi ecurinë e procesit, kalendarin e reformave dhe masat e reja, me fokus të veçantë te Kapitulli 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria.

Në vijim do të paraqitet edhe një raport mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar, ndërsa diskutimet do të jenë të kufizuara në kohë për çdo folës.

Takimi përmbyllet me një tjetër moment politik, në kuadër të “Majit të Europës” dhe 35-vjetorit të PS-së, ku pritet fjala e kryeministrit Edi Rama.