Ndreca: Toni Gogu takoi Veliajn në orën 22:30 në burg, qëndruan për një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë.

Në prononcimin për mediat, Ndreca komentoi edhe takimin mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut të Fierit. Sipas tij, ministri ka shkuar për të takuar Veliajn rreth orës 22:30 dhe ka qëndruar me të për rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të institucionit.

Avokati theksoi se takimi nuk është kërkuar nga Veliaj, ndërsa vuri në pikëpyetje mënyrën se si është zhvilluar, duke argumentuar se nëse ministri kishte si qëllim inspektimin e kushteve në burg, duhej ta kryente këtë detyrë zyrtarisht dhe i shoqëruar nga inspektorët përkatës.

“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar Gogun. Ai nuk mund të shkojë në orën 22:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës, duhet të shkonte në mënyrë zyrtare, jo të takonte për një orë e gjysmë një person nën hetim në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, duhet të shkojë me inspektorë”, u shpreh Ndreca.