KLSH: Shqipëria vonesa në përfitimin e fondeve të BE-së

Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë në kohë fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, për shkak të mospërmbushjes së një pjese të reformave të kërkuara. Në raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton vonesa në disbursimin e financimeve dhe problematika në zbatimin e masave të Axhendës së Reformave.

Nga financimi i përgjithshëm prej 922.09 milionë eurosh, deri në fund të vitit 2025 Shqipërisë i ishin disbursuar 76.2 milionë euro në formën e mbështetjes buxhetore. Ndërkohë, për komponentin prej 228.46 milionë eurosh, të parashikuar për financimin e projekteve përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), nuk ishte realizuar asnjë disbursim.

Sipas KLSH-së, vonesat lidhen kryesisht me mospërmbushjen e masave të reformës në fushat e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore, klimës së biznesit, energjisë, sigurisë kibernetike, sistemit gjyqësor dhe transparencës së financave publike.

“Nga auditimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë […] janë konstatuar vonesa në përfitimin dhe disbursimin e fondeve të parashikuara, si pasojë e mospërmbushjes së disa masave të reformës”, thuhet në raport.

Marrëveshja e Huasë për Lehtësinë e Reformës dhe Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor (RGF), e ratifikuar me ligjin nr. 18/2025, parashikon një financim maksimal prej 657.45 milionë eurosh në formën e huasë. Disbursimi i këtyre fondeve kushtëzohet nga përmbushja e 95 masave cilësore dhe sasiore të Axhendës së Reformës.

Për masat e lidhura me vitin 2025, Shqipëria ka paraqitur katër kërkesa për pagesë, dy në korrik 2025 dhe dy të tjera në janar 2026. Në total, financimi i kërkuar përmes këtyre aplikimeve arrin në 210.4 milionë euro.

Megjithatë, sipas auditimit, kërkesat nuk janë miratuar në vlerën e plotë të paraqitur nga autoritetet shqiptare.

“Rezulton se kërkesat për pagesë të paraqitura nga Shqipëria nuk janë miratuar në vlerën e plotë të kërkuar, për shkak të mospërmbushjes së një pjese të masave të përcaktuara në Axhendën e Reformave”, thekson KLSH.

Mospërmbushjet lidhen me lehtësimin e procedurave administrative dhe reformimin e sistemit të inspektimeve për bizneset, digjitalizimin e transportit dhe tregtisë, integrimin e tregut të energjisë elektrike, përafrimin e legjislacionit për burimet e rinovueshme dhe eficiencën energjetike, forcimin e sigurisë kibernetike, si dhe përmirësimin e transparencës dhe eficiencës së sistemit gjyqësor.

Sa i përket mbështetjes buxhetore, deri më 31 dhjetor 2025 ishin disbursuar 76.23 milionë euro, nga të cilat 30.02 milionë euro si parafinancim dhe 46.2 milionë euro si transh pasues.

Në maj 2026 është disbursuar edhe një transh prej 22.77 milionë eurosh, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes buxhetore të arkëtuar në 99.01 milionë euro.

Një tjetër problematikë e evidentuar nga KLSH lidhet me financimin e projekteve përmes WBIF, me vlerë 228.46 milionë euro. Për këtë komponent nuk ishte realizuar asnjë disbursim deri në përfundim të auditimit, pasi marrëveshjet e kontributit me Bankën Europiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) nuk ishin finalizuar.

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e auditimeve të brendshme specifike për Instrumentin RGF gjatë vitit 2025, duke kufizuar vlerësimin e pavarur të mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit të zbatimit të reformave.

“Gjatë vitit 2025 nuk janë kryer auditime të brendshme specifike për Instrumentin RGF, duke kufizuar vlerësimin e pavarur të mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit të zbatimit të reformave”, përfundon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.