Ndahet nga jeta në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj

Avokati i njohur penalist Saimir Vishaj ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të marra nga një rrëzim në shkallë.

Vishaj ishte prej disa ditësh i shtruar në Spitalin e Traumës, ku ndodhej i intubuar, në gjendje të rëndë shëndetësore. Rrëzimi kishte ndodhur në rrethana që ende nuk janë bërë plotësisht të ditura.

Në gusht të vitit 2025, avokati kishte treguar publikisht se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar për një periudhë në gjendje kome dhe i intubuar. Megjithatë, në atë kohë kishte arritur të rikuperohej.

Saimir Vishaj ishte një prej emrave më të njohur të avokatisë penaliste në Shqipëri. Ai drejtoi për më shumë se një dekadë Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, ishte anëtar i organeve drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe pedagog në Universitetin “Luarasi”.

Karriera profesionale

Vishaj e ushtroi profesionin e avokatit që prej vitit 1998. Nga viti 2008 deri në vitin 2021, në periudha të ndryshme, ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë.

Në vitet 2013–2021 ishte anëtar i Komitetit të Disiplinës së Dhomës së Avokatisë, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2021 drejtoi Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.

Në vitet 2018–2020 ishte gjithashtu anëtar i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi, i votuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2021, Vishaj punoi si pedagog i brendshëm në Universitetin “Luarasi” në Tiranë, duke kontribuar edhe në formimin e brezave të rinj të juristëve.