Milot–Balldre drejt nisjes, pritet shpallja e fituesit për projektin 365 milionë euro

Procesi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë aksin rrugor Milot–Balldre ka hyrë në fazën përmbyllëse, ndërsa në ditët në vijim pritet të shpallet edhe kompania fituese e kontratës.

Pas mbylljes së garës koncesionare në muajin tetor, ku konkurruan tre operatorë dhe nuk pati asnjë ankesë, autoritetet kanë vijuar me shqyrtimin e dokumentacionit, proces që tashmë është drejt finalizimit.

Shpallja e fituesit do t’i hapë rrugë nënshkrimit të kontratës dhe nisjes së punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, pjesë e korridorit strategjik Adriatiko–Jonian.

Sipas të dhënave zyrtare, projekti kap vlerën e rreth 365 milionë eurove pa TVSH, ndërsa kontrata parashikon një afat 35-vjeçar, që përfshin ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit.

Aksi Milot–Balldre, me gjatësi rreth 17 kilometra, do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke zëvendësuar segmentin aktual të kategorisë C.

Segmenti do të nisë nga nyja e Milotit, duke u lidhur me akset Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, ndërsa do të përfundojë në Balldre, ku lidhet me aksin Tiranë–Shkodër.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, punimet synohen të nisin brenda këtij viti dhe ndërtimi i plotë pritet të zgjasë rreth 30 muaj nga momenti i firmosjes së kontratës.

Ky aks konsiderohet një hallkë kyçe e korridorit Adriatiko–Jonian dhe pjesë e zgjerimit të rrjetit TEN-T Mesdhetar në Ballkanin Perëndimor.