Numri i mjeteve rrugore të regjistruara në Shqipëri ka vijuar të rritet edhe gjatë vitit 2025. Sipas INSTAT, në fund të vitit ishin aktive 1.048.000 mjete, ose 9,3% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Autoveturat mbeten kategoria dominuese, duke përbërë 81% të parkut të mjeteve. Në vitin 2025, në vend kishte 361 autovetura për çdo 1.000 banorë, nga 326 një vit më parë.
Për nga shpërndarja gjeografike, qarku i Tiranës kryeson me 35% të totalit të mjeteve në vend, i ndjekur nga Durrësi me 14% dhe Fieri me 9%. Megjithatë, niveli më i lartë i motorizimit është regjistruar në Durrës, me 535 autovetura për çdo 1.000 banorë.
Të dhënat tregojnë se 55% e automjeteve janë prodhuar në periudhën 2000–2010, ndërsa grupi më i madh i autoveturave është ai me moshë 11–20 vjet, që përbën 46% të totalit.
Sa i përket markave, Volkswagen mbetet më e përhapura në Shqipëri me 20% të autoveturave, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18%.
Edhe pse nafta vijon të jetë karburanti kryesor për 72% të automjeteve, INSTAT evidenton një rritje të ndjeshme të mjeteve me teknologji të reja. Gjatë vitit 2025, numri i autoveturave elektrike u rrit me 91%, duke reflektuar interesin në rritje për transportin me emetime të ulëta.










