Makina perplas motorin, humb jetën 28-vjeçari, arrestohet shoferi 19 vjecar

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 28-vjeçari është regjistruar mbrëmjen e së martës në Sukth të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45, në rrugën që lidh Sukthin me Rrushkullin, në lagjen Stalla, ku një automjet është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi A.SH., 28 vjeç.

Si pasojë e përplasjes së fortë, i riu ka humbur jetën në vendngjarje, për shkak të plagëve të marra.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia bëri të ditur se ka arrestuar drejtuesin e automjetit, shtetasin M.V., 19 vjeç, i dyshuar si përgjegjës për aksidentin fatal, ndërsa hetimet vijojnë për përcaktimin e shkaqeve dhe dinamikës së plotë të përplasjes.