Një aksident automobilistik është regjistruar gjatë natës në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Fillimisht nuk dihej fati i drejtuesit të mjetit, ndërsa më pas policia bëri të ditur se 29-vjeçari ka shpëtuar pa lëndime. Sipas dëshmisë së tij, ai humbi kontrollin e automjetit gjatë natës dhe priti për ndihmë, por pasi nuk kaloi askush, arriti të dilte vetë nga makina.
I riu ka deklaruar se, për shkak se nuk kishte dëmtime, është larguar drejt banesës dhe kishte planifikuar të paraqitej në Komisariatin e Lushnjës për të njoftuar aksidentin. Policia po vijon procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes.










