Izraeli kryen sulme ajrore afër spitalit më të madh në Gazë

Izraeli kryen sulme ajrore afër spitalit më të madh në Gazë

40
SHPËRNDAJE

Avionët izraelitë mëngjesin e së dielës kanë kryer sulme ajrore pranë spitalit më të madh në Gazë, që është i mbushur me pacientë dhe dhjetëra mijëra palestinezë që po kërkojnë strehim, thanë banorët. Izraeli tha se militantët e Hamasit – që udhëheqin Gazën – kanë një qendër komanduese nën spital, duke mos dhënë dëshmi të tjera për këtë pretendim.

Sulmet vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi për “fazën e dytë” të luftës së Izraelit ndaj Hamasit, tri javë pasi Hamasi kreu sulme në Izrael më 7 tetor. Tanket dhe këmbësoria gjatë fundjavës hynë në Gazë, në atë që zyrtarët e përshkruan si zgjerim të ofensivës tokësore, përderisa Izraeli sulmoi terrorin nga ajri, toka dhe deti.

Bombardimet – që sipas banorëve të Gazës janë më intensivet gjatë kësaj lufte – goditën linjat e komunikimit të premten mbrëma, duke shkëputur komunikimin me botën jashtë të kësaj enklave me 2.3 milionë banorë. Komunikimi është rivendosur sipas kompanive lokale të telekomunikacionit dhe atyre që ofrojnë shërbime të internetit.

Banorët thanë se sulmet e fundit ajrore kanë shkatërruar pothuajse të gjitha rrugët që çojnë për në spitalin Shifa në Qytetin e Gazës, që gjendet në pjesën veriore të territorit të rrethuar. Izraeli tha se shumica e banorëve kanë respektuar urdhrin e tij për t’u larguar në jug, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli po ashtu ka shënjestruar të ashtuquajturat zona të sigurta.

Dhjetëra mijëra persona po strehohen në spitalin Shifa, që është i mbushur me pacientë që janë plagosur gjatë sulmeve ajrore.

“Shkuarja deri te spitali është bërë jashtëzakonisht e vështirë”, tha Mahmoud al-Sawah, që po strehohej në spital. “Duket se ata kanë shkëputur lidhjet në këtë zonë”, shtoi ai, raporton AP.

Ndërkaq, Abdallah Sayed, banor i Qytetit të Gazës tha se bombardimet izraelite gjatë dy ditëve të fundit “ishin më të dhunshmet dhe më intensivet” që kur ka nisur lufta.

S'KA KOMENTE