Gjirokastra me tren drejt Greqisë? Rikthehet pas 10 vitesh projekti për linjën Janinë–Igumenicë–Kakavijë


Një projekt për lidhjen hekurudhore të Gjirokastrës me Greqinë është rikthyer në diskutim, rreth 10 vite pas hartimit të studimit të parë. Bëhet fjalë për linjën Igumenicë–Janinë–Kakavijë–Gjirokastër, e cila synon të krijojë një korridor të ri ndërkufitar për transportin e pasagjerëve dhe mallrave.

Grupi i Punës për Zhvillimin dhe Promovimin Turistik të Prefekturës së Janinës ka propozuar përditësimin e studimit të vitit 2016, me qëllim rivlerësimin e projektit sipas kostove aktuale, kërkesës për transport dhe fizibilitetit ekonomik.

Studimi fillestar u hartua në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Territorial Europian Greqi–Shqipëri dhe parashikonte një trase që do të niste nga porti i Igumenicës, do të kalonte përmes Janinës dhe Kakavijës dhe do të përfundonte në Gjirokastër.

Segmenti i parashikuar është rreth 73 kilometra, ndërsa projekti përfshinte edhe ndërtime komplekse infrastrukturore, mes tyre dy tunele të mëdha me gjatësi totale rreth 10.3 kilometra, nëntë tunele të tjera me rreth 4.6 kilometra gjatësi dhe 26 ura të vogla rrugore e hekurudhore.

Nëse projekti do të ecë përpara, linja do të mund të shërbente jo vetëm për udhëtarët, por edhe për transportin e mallrave, duke lidhur jugun e Shqipërisë me portin e Igumenicës.

Për momentin, nuk ka një vendim për ndërtimin e hekurudhës. Hapi i parë është përditësimi i studimit të fizibilitetit dhe rivlerësimi teknik e ekonomik i projektit, si dhe identifikimi i mundësive për financim nga fondet kombëtare dhe europiane.