Ballina Shqiperia ime Flet 54 vjeçari që u dhunua nga hajdutët në Fier

Flet 54 vjeçari që u dhunua nga hajdutët në Fier

54 vjeçari Sokol Bajgora, i cili u dhunua nga tre persona që kishin hyrë për të vjedhur në banesën e tij në fshatin Baltëz të Fierit ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja. Ai thotë se ishin tre persona të maskuar që hynë në shtëpi duke thyer xhamin e derës dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që t’i jepnin paratë.

54 vjeçari theksoi gjithashtu se e kishin dhunuar duke i rënë me qytën e automatikut dhe se kishin tentuar ta lidhnin. Më pas, ai thotë se e vendosën poshtë krevatit. 54 vjeçari rrëfeu se ka arritur që të dalë nga shtëpia i gjakosur dhe ka shkuar tek shtëpia e të vëllait, ku edhe kanë njoftuar policinë.

“Isha në gjumë kur dëgjoj një zhurmë. Mendova se ishte ndonjë mace që hyri dhe që ranë pjatat e bufesë. Ata i kishin rënë derës prapa shtëpisë, i thyejnë xhamin. Kur dal nga dhoma e gjumit, ata erdhën me një elektrik dhe me armë. Tre veta hynë brenda. Direkt thanë lekët. Thashë s’kam lekë.

Më goditën me qytë të automatikut. Më pas më vonë fut e bjer, iu thosha se s’kam lekë. Më kanë qëlluar pesë gjashtë herë në kokë me qytë në kokë. Donin të më lidhnin këmbë dhe duar. Isha i lyer në gjak. Bërtisja që të dëgjonin ndonjë. E kthyen shtëpinë përmbysur, dalin dhe ikin.

Pas disa minutash, krevatin dopio e kthyen dhe më lanë poshtë krevatit. Si duket iu interesonte që të mos ngrihesha. Zvarrë lëviza, nuk orientohesha dot sepse dritat ishin fikur. Isha vetëm në shtëpi. Mezi u orientova duke prekur murin dhe hap grilën, dola nga dritarja. Nga muri rrethues, dal dhe hidhem tek vëllai. S’e dija që vëllai ishte në punë. Më pas shkoi tek vëllai tjetër.”, u shpreh ai