Shqipëria ka kaluar një tjetër etapë në procesin e integrimit europian, pasi grupi teknik i Këshillit të Bashkimit Europian për zgjerimin, i njohur si COELA, ka arritur marrëveshje mbi raportin IBAR dhe draftin e qëndrimit të përbashkët të BE-së për Grupin 1 të kapitujve të negociatave.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e zyrës së shtypit pranë Komisionit Europian.
Sipas sqarimit zyrtar, gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të enjte, COELA diskutoi draftin e “EU Common Position” (EUCP), dokument që përfaqëson qëndrimin e përbashkët të vendeve anëtare të BE-së lidhur me ecurinë e Shqipërisë në negociata. Në qendër të diskutimeve ishte raporti IBAR, i cili vlerëson progresin e bërë në fushat kyçe të sundimit të ligjit.
Pas dakordësisë së arritur në nivel teknik, dosja do t’i kalojë nesër për miratim COREPER-it, organit ku bëjnë pjesë ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ky konsiderohet hapi politik i nevojshëm përpara se të merret një vendim për mbajtjen e konferencës së radhës ndërqeveritare me Shqipërinë.
Në deklaratën e Komisionit Europian theksohet se, nëse gjithçka vijon sipas planit dhe ambasadorët japin miratimin e tyre, konferenca ndërqeveritare mund të zhvillohet më 26 maj. Megjithatë, data zyrtare do të konfirmohet vetëm pas mbledhjes së COREPER-it.
Raporti IBAR ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi lidhet drejtpërdrejt me vlerësimin e reformave në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe standardet e shtetit ligjor. Këto fusha përbëjnë bazën e Grupit 1 të negociatave, i cili konsiderohet edhe më i rëndësishmi në procesin e anëtarësimit në BE.
Kalimi i këtij raporti në COELA shihet si një sinjal pozitiv nga strukturat europiane për progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të negociatave të anëtarësimit.










