Shqipëria ka mbyllur negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të përfunduar brenda pak muajsh.
Gjatë konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një tjetër hap përpara në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se objektivi i qeverisë është të dyfishojë numrin e kapitujve të mbyllur brenda këtij viti.
Rama falënderoi Presidencën irlandeze, komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe vendet anëtare të BE-së për mbështetjen ndaj Shqipërisë.
Kreu i qeverisë nënvizoi se mbyllja e kapitujve është një tregues i progresit, por theksoi se përparimi drejt anëtarësimit matet mbi të gjitha me reformat e zbatuara.
“Ne duam së paku të bëjmë dyfish. Kështu që le ta tundim këtë shtëpi, le ta bëjmë realitet. Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, e dimë që progresi matet mbi të gjitha me reformat e kryera. E dimë që kemi ende rrugë të gjatë përpara”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se pret që deri në samitin e ardhshëm të Planit të Rritjes Shqipëria të ketë shënuar përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.










