Cili qark ka më shumë biznesmene?

Tirana vijon të mbetet qarku me përfaqësimin më të lartë të grave në sipërmarrje në Shqipëri. Sipas INSTAT, 33.6% e ndërmarrjeve aktive në kryeqytet kanë pronare ose administratore gra, përqindja më e lartë në vend. Pas Tiranës renditen Vlora me 32% dhe Lezha me 30.9%.

Në nivel kombëtar, 31.4% e bizneseve drejtohen nga gra, ndërsa 68.6% nga burra, duke treguar një rritje graduale të rolit të grave në ekonomi dhe sipërmarrje. Në qarqe si Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Shkodra, pjesëmarrja e grave në biznes varion nga 28% deri në 29%, duke reflektuar një prani më të konsoliduar të grave në sipërmarrje.

Ndërkohë, Kukësi mbetet qarku me përfaqësimin më të ulët të grave në biznes, me vetëm 20% të ndërmarrjeve aktive të drejtuara prej tyre.