Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në autostradën Vlorë-Fier, pranë fshatit Panaja, ku janë përfshirë tre automjete.
Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë një furgon “Benz” me targa AB 498 JR, një tjetër mjet tip “Benz” dhe një automjet i tonazhit të rëndë. Si pasojë e goditjes së fortë, boti i ujit ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në anë të saj, duke shkaktuar bllokim të pjesshëm të qarkullimit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë dhënë ndihmën e parë për personat e përfshirë.
Burime paraprake bëjnë me dije se një person ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa nuk raportohen viktima. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.










