Një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ që përcakton rregullat për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve ndaj pronës, të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Akti normativ, i përbërë nga 16 nene, parashikon që përgjegjësinë financiare për dëmet ta mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por në kushte të caktuara edhe organizatorët e protestave.
Sipas nenit 9, organizatat ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin mund të përgjigjen solidarisht me autorët për dëmet e shkaktuara. Përjashtim bëjnë rastet kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi t’i parandalojnë.
Shteti parashikon të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet e shkaktuara ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autori i dëmit nuk është identifikuar.
Pas kompensimit të të dëmtuarve, Avokatura e Shtetit do të kërkojë nga personat përgjegjës kthimin e shumave të paguara. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, Avokatura e Shtetit mund të ngrejë padi regresi në gjykatë.
Mekanizmi i ri parashikon edhe mundësinë që detyrimet financiare të shlyhen tërësisht ose pjesërisht përmes punës në interes publik, në bazë të një marrëveshjeje vullnetare mes Avokaturës së Shtetit dhe debitorit.
Për personat e mitur, marrëveshja kërkon pëlqimin e prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë procesin e shkollimit.
Akti përcakton gjithashtu se askush nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim. Ndërkohë, për dëmet ndaj institucioneve publike, Avokatura e Shtetit do të kërkojë në çdo rast shpërblimin e tyre në emër dhe për llogari të institucioneve të dëmtuara.
Vendimmarrja e qeverisë vjen pasi Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit dy akte normative, që lidhen me ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.
Ndryshe nga akti i mëparshëm, i cili lidhej me kompensimin e dëmeve në një periudhë të caktuar, akti i ri krijon një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve.










