Rreth 200 përfaqësues të sindikatave bujqësore nga vende të ndryshme të Evropës kanë protestuar të enjten në Bruksel, kundër shkurtimeve të propozuara në Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) të Bashkimit Evropian.
Protesta u zhvillua në kohën kur liderët evropianë po diskutojnë buxhetin afatgjatë të BE-së për periudhën 2028-2034. Fermerët, të shoqëruar nga një konvoj traktorësh, marshuan në lagjen evropiane dhe pranë Parlamentit Evropian, duke kërkuar mbrojtjen e fondeve për bujqësinë.
Në pankartat e mbajtura gjatë demonstratës spikaste mesazhi “Bujqësi në shitje, 0 euro”, ndërsa protestuesit kundërshtuan shkurtimet e mundshme të subvencioneve, të cilat sipas sindikatave bujqësore mund të arrijnë deri në 20% në kuadër të buxhetit të ri të BE-së.
Përfaqësuesit e fermerëve paralajmërojnë se një reduktim i tillë do të rëndonte më tej gjendjen ekonomike të sektorit bujqësor dhe të ardhurat e familjeve në zonat rurale. Lucas Bierlaire, nga Federata e Fermerëve Valonianë, theksoi se shumë kultivues po përballen tashmë me vështirësi për të siguruar të ardhura të mjaftueshme nga aktiviteti i tyre.
Protesta përkoi me një samit dyditor të liderëve të BE-së, ku po zhvillohen negociata për buxhetin 2028-2034. Në diskutim është propozimi i Komisionit Evropian për një buxhet prej 2 trilionë eurosh, i cili, sipas përfaqësuesve të sektorit bujqësor, parashikon reduktim të ndjeshëm të mbështetjes për bujqësinë në terma realë.
Ndërkohë, Arnaud Rousseau, kreu i sindikatës më të madhe bujqësore në Francë, FNSEA, i ka kërkuar Brukselit të tregojë më shumë ambicie për mbështetjen e bujqësisë evropiane, pavarësisht presioneve financiare.
Negociatat për buxhetin pritet të vijojnë edhe në një samit të radhës në mesin e dhjetorit, me synimin për të arritur një marrëveshje përpara fundit të vitit.










