Kuvendi ka miratuar në orët e mesnatës buxhetin e shtetit për vitin 2027 dhe ligjet që përbëjnë Paketën e re Fiskale, e cila sjell ndryshime në taksimin e bizneseve, pagave, dividendit, turizmit, karburanteve dhe automjeteve.
Gjatë shqyrtimit parlamentar pati edhe ndryshime të minutës së fundit. Kuvendi rrëzoi propozimin e Komisionit të Ekonomisë për aplikimin e TVSH-së 6% për ujin e ambalazhuar, ndërsa miratoi amendamentin e deputetes socialiste Briseida Çakëri për shtyrjen deri në dhjetor 2029 të përjashtimit nga tatim-fitimi për hotelet me 4 dhe 5 yje, që operojnë me marka ndërkombëtare.
Ndryshimet kryesore që pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027 janë:
Pragu i TVSH-së zbret në 5 milionë lekë
Kufiri i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Përllogaritja do të bëhet mbi bazën e qarkullimit të realizuar gjatë vitit 2026. Për fermerët, pragu mbetet 10 milionë lekë.
TVSH-ja standarde rritet në 21%
Norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%, ndërsa për një kategori produktesh bazë të shportës ushqimore do të aplikohet norma e reduktuar prej 6%. Uji i ambalazhuar nuk do të përfshihet në këtë kategori dhe do të tatohet me 21%.
Tatimi mbi dividendin rritet në 15%
Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15% për fitimet që shpërndahen nga 1 janari 2027. Për çdo 1 milion lekë dividend, tatimi do të jetë 150 mijë lekë, nga 80 mijë lekë që paguhet aktualisht.
TVSH-ja për hotelet shkon në 10%
TVSH-ja për shërbimet e akomodimit rritet nga 6% në 10%. Ndërkohë, strukturat akomoduese me 4 dhe 5 yje, që plotësojnë kriteret ligjore dhe operojnë me marka ndërkombëtare, do të përfitojnë shtyrjen e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin deri në dhjetor 2029.
Ndryshon tatimi mbi pagat
Rishikohen fashat e tatimit progresiv mbi të ardhurat nga punësimi. Kufiri për aplikimin e normës 23% zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë parashikohet një normë më e lartë tatimore.
Hiqet taksa e qarkullimit nga karburantet
Nga viti 2027 hiqet taksa e qarkullimit që paguhet për çdo litër naftë dhe benzinë. Në vend të saj, barra fiskale zhvendoset te taksat vjetore të automjeteve, të cilat sipas ndryshimeve të miratuara pritet të rriten mesatarisht dyfish.
Ruhet akciza e diferencuar për duhanin vendas
Prodhimi vendas i duhanit do të vijojë të ketë trajtim të diferencuar për akcizën në raport me produktet e importuara.
Ndryshime në procedurat tatimore
Paketa përfshin gjithashtu ndryshime në mbledhjen e detyrimeve tatimore, parapagimet, pagesat me para në dorë dhe procedurat për çregjistrimin e bizneseve.
Në tërësi, Paketa Fiskale 2027 ndryshon mënyrën e taksimit të bizneseve dhe qytetarëve, duke prekur drejtpërdrejt konsumin, pagat, fitimet e kompanive, turizmin dhe zotërimin e automjeteve.










