Elisa Spiropali ka kërkuar hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke sfiduar drejtimin 17-vjeçar të Edi Ramës në krye të kësaj force politike.
Në deklaratën e saj, Spiropali u shpreh se nuk e di nëse kryeministri e mbështet apo jo, por theksoi se gëzon mbështetjen e socialistëve për shkak të betejave politike që ka zhvilluar ndër vite.
Ajo deklaroi se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetes, ndërsa nënvizoi se mbetet një e majtë dhe progresiste e bindur. Sipas saj, në Partinë Socialiste nuk duhet të ketë kryetarë të përjetshëm dhe gara për drejtimin e partisë duhet të jetë e hapur edhe për figura të tjera.
“Nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama! Di vullnetin tim. Di që më duan socialistët, se kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira, jo vetëm në Kuvend përballë opozitës. Jam e majtë, progresiste e bindur. Nëse duan të bëjmë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Kemi statutin, por nuk është as Bibël dhe as Kuran”, deklaroi Spiropali.
Ish-kryetarja e Kuvendit theksoi se nuk do të largohet nga politika dhe se ndihet e lidhur me Partinë Socialiste, pavarësisht vendimmarrjeve të fundit ndaj saj. Ajo kujtoi se ka drejtuar fushatat politike të PS-së në Tiranë, Kukës dhe Shkodër.
Spiropali theksoi se kërkesa për hapjen e garës nuk lidhet vetëm me kandidaturën e saj, por edhe me mundësinë që socialistë të tjerë të konkurrojnë për drejtimin e partisë.
“Sfida është kjo: të hapet gara në PS. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë mund të garojnë në PS. Pse, kush është i pazëvendësueshëm?”, u shpreh ajo.










