Elisa Spiropali ka folur për herë të parë publikisht për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke pranuar përgjegjësinë e saj për përqendrimin e pushtetit në një dorë, por edhe duke shprehur krenari për qëndrimet e mbajtura ndër vite.
Në një dalje për mediat këtë të mërkurë, Spiropali kritikoi përqendrimin e pushtetit te një person i vetëm, duke theksuar se kjo situatë shkon përtej raportit të saj personal me kryeministrin Edi Rama.
“Kam dhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit, të konsoliduar ekstremisht në një dorë, të partisë, qeverisë dhe të pushtetit të një njeriu. Kjo është përtej Edi Ramës dhe raportit personal, por është në themel të asaj që nxori në rrugë ata flamingot”, deklaroi Spiropali.
Ajo u shpreh se ndjen njëkohësisht faj dhe krenari për të shkuarën e saj politike, duke theksuar se reagimi i saj i mëparshëm nuk ishte i motivuar nga interesat politike, por nga bindja personale.
“Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time. Unë isha e para që reagova dhe një herë po e them, jo nga konvenienca politike, por se ashtu e ndjeva”, tha ajo.
E pyetur për faktin se është gruaja e parë që përjashtohet nga PS-ja në 35 vite, Spiropali u përgjigj se këtë e konsideron si një dekoratë.
“Jam e para grua në 35 vite që përjashtohem, po e marr si dekoratë këtë, meqë kam qenë dhe kryetarja më e re e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë, dhe ata që duhet të rrinë ikin”, u shpreh ajo.
Spiropali kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si u mor vendimi për largimin e saj nga grupi parlamentar, duke pretenduar se nuk pati votim dhe se nuk iu dha mundësia të ishte e pranishme në mbledhje për të shprehur qëndrimin e saj.
“Aty u bë legjitimimi i një vendimi jo legjitim të një vendimi që u mor në Asamblenë Kombëtare. A ishte rend dite ai votim? Nuk u bë votim, është marrë ky vendim. Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk u dha as kjo mundësi”, deklaroi ish-ministrja.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si trajtohen gratë në politikë, duke theksuar se ato nuk duhet të shihen thjesht si figura përfaqësuese, por duhet të kenë hapësirë për të shprehur qëndrimet e tyre, edhe kur ato bien ndesh me drejtimin e partisë.
Në përfundim, Spiropali paralajmëroi se situata politike mund të përkeqësohet nëse Partia Socialiste nuk ndërmerr reforma.
“Nuk dua të bëj parashikuesen, por më keq do të shkojë nëse ne nuk duam të reformohemi”, përfundoi ajo.










