Tiranë, MPJ mohon përfshirjen e Shqipërisë në sulmin me dron ndaj korvetës ruse: Pretendimet janë të pavërteta

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se sulmi me dron detar ndaj një korvete ruse ka pasur si pikënisje territorin shqiptar.

Në një reagim zyrtar, diplomacia shqiptare i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje të Shqipërisë në incident.

Sipas Ministrisë, territori shqiptar nuk është përdorur dhe as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e sulmit ndaj anijes ushtarake ruse.

“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagim.

Ministria thekson se pretendimet janë publikuar pa prova të verifikueshme dhe u bën thirrje personave dhe institucioneve përgjegjëse për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin.

Në përfundim, diplomacia shqiptare kërkon më shumë saktësi, kujdes dhe përgjegjshmëri në raportimin e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe kanë ndjeshmëri të lartë ndërkombëtare.