Selami Hasani, i njohur në Fier me nofkën “Sel Çami”, i cili u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele, kishte një të kaluar të lidhur me ngjarje të rënda kriminale dhe hasmërinë mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje, pas përplasjes së përgjakshme të ndodhur më 25 mars 2002 në qendër të Fierit, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës”. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit.
Sipas dosjes hetimore dhe raportimeve të kohës, në këtë ngjarje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Shkak i përplasjes dyshohet se ishte një hasmëri e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Shtatë vite në kërkim, u arrestua nga RENEA
Pas ngjarjes së vitit 2002, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Ai u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, gjatë një operacioni të zhvilluar në Fier, të koduar “Parukieri”.
Gjatë arrestimit, policia i gjeti dhe sekuestroi dy pistoleta. Për ngjarjen e vitit 2002, ai u dënua me 25 vite burg.
Doli nga burgu pas rreth 11 vitesh
Pavarësisht dënimit me 25 vite heqje lirie, Selami Hasani la qelinë në shtator të vitit 2022, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite burg.
Emri i tij ishte prej vitesh i njohur në Fier për shkak të historisë së konflikteve dhe episodeve të rënda kriminale të lidhura me hasmërinë mes familjeve.
Mëngjesin e kësaj të diele, Hasani u bë viktimë e një tjetër atentati me armë zjarri. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.










