Një shirit adeziv i kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”, i përdorur për të mbuluar targat e automjetit, dhe një makinë e marrë me qira për të krijuar alibi. Këto janë disa nga detajet e dosjes hetimore për vjedhjen e rreth 43 mijë eurove dhe 1 milion lekëve në një agjenci udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh, më 26 mars të këtij viti.
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të tre personave, Gëzim Fejzullës, Anna Meissane Boudiaf dhe Arsen (Odise) Saliajt, të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim me pasojë të rëndë.
Sipas dosjes hetimore, plani dyshohet se ishte organizuar disa orë përpara grabitjes. Tre të dyshuarit kanë siguruar fillimisht një automjet Audi A4 me portobagazh dhe më pas kanë marrë me qira një Honda Jazz të zezë në një kompani në Fier.
Një nga detajet që ndihmoi hetuesit në identifikimin e autorëve ishte blerja e një shiriti adeziv të kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”. Shiriti ishte përdorur për të mbuluar targat e Audit që shfaqej në kamerat e sigurisë.
Ngjarja ndodhi më 26 mars, rreth orës 16:17. Ferat Shehaj, punonjës i agjencisë, kishte lënë mbi tavolinë një çantë shpine dhe disa qese me para, ndërsa ishte larguar për pak çaste për të marrë automjetin e tij, të parkuar rreth 100 metra larg.
Në çantë ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë. Gjatë kësaj kohe, një person i veshur me të zeza, me kapuç, kapele dhe doreza, ka hyrë në agjenci dhe ka marrë vetëm çantën, pa kontrolluar sendet e tjera mbi tavolinë.
Sipas hetimeve, mënyra e veprimit ka ngritur dyshimet se autori kishte dijeni paraprake për vendndodhjen e parave dhe çantën ku ato mbaheshin.
Pas vjedhjes, autori është larguar me Audin e zi në drejtim të Hekalit, Klosit dhe më pas Fierit. Shehaj është vënë në ndjekje të automjetit dhe ka njoftuar policinë. Në dëshminë e tij, ai ka treguar se në vend të targës kishte dalluar mbishkrimin me ngjyrë të kuqe “Çifti, jetë të lumtur”.
Ky detaj i orientoi hetuesit drejt një dyqani lulesh në Fier, ku kamerat e sigurisë dokumentuan blerjen e shiritit adeziv nga njëri prej të dyshuarve, disa orë përpara ngjarjes.
Një tjetër element i dosjes është automjeti Honda Jazz, i marrë me qira nga shtetasja Anna Meissane Boudiaf. Sipas prokurorisë, makina dyshohet se është përdorur për të krijuar alibi dhe për të fshehur lëvizjet e personit që kreu vjedhjen.
Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar se në orën 10:53, Audi i zi mbërriti në një servis automjetesh në aksin Fier–Patos, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku nga automjeti zbritën tre të dyshuarit. Më pas ata morën Honda Jazz-in. Në orën 11:47, njëri prej tyre u filmua duke blerë shiritin adeziv në dyqanin e luleve.
Sipas analizës së prokurorisë, të dhënat GPS të Honda Jazz-it tregojnë se automjeti ka qenë në qarkullim gjatë orarit të grabitjes dhe ka rifilluar lëvizjen pas orës 18:39.
Në dosje përfshihet edhe një komunikim në Messenger mes Shehajt dhe një të njohuri të tij që jetonte në Greqi. Ky i fundit i kishte përcjellë një mesazh, sipas të cilit vëllai i njërit prej të dyshuarve kishte pohuar se vjedhjen e kishte kryer ai, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Shehajn, pasi ky i fundit nuk i kishte prerë një biletë avioni.
Gjatë hetimeve, njëri prej të dyshuarve ka deklaruar se kishte ndihmuar një të njohur për të marrë një automjet me qira në Fier, duke përshkruar edhe takimin dhe lëvizjet e asaj dite.
Në përfundim, Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se tre të pandehurit kanë pasur role të ndryshme në realizimin e vjedhjes: njëri dyshohet si organizator dhe ekzekutor, njëra si ndihmëse në krijimin e alibisë dhe i treti si person që ka ndihmuar në sigurimin e automjetit me qira dhe lëvizjet e të dyshuarve.










