Erion Veliaj u është drejtuar me një mesazh socialistëve të Tiranës, ku kritikon drejtimin aktual të Partisë Socialiste dhe denoncon atë që e cilëson si zëvendësim të socialistëve me njerëz të emëruar në poste dhe të përfshirë në rrjetin e privilegjeve.
Në mesazhin e tij, Veliaj kujton organizimin e PS-së në Tiranë që prej vitit 2015 dhe fitoret elektorale të arritura, duke theksuar se ato nuk erdhën nga krimi apo grupet e forta, por nga puna dhe kontributi i socialistëve.
Ai shpreh pakënaqësi ndaj mënyrës së drejtimit të partisë, duke akuzuar drejtuesit se po u kthehen kundër anëtarëve që kanë kontribuar në fitoret e saj dhe se po vlerësojnë besnikërinë personale më shumë se parimet.
“Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!”, shkruan Veliaj, i cili në fund të mesazhit e cilëson veten si “socialisti me duar të lidhura”.
Ai u bën thirrje socialistëve të Tiranës të ruajnë qytetarinë dhe kontributin e tyre, duke mos lejuar që historia e organizimit të zëvendësohet, sipas tij, nga pushteti i pamerituar.










