Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tre tenderë për ndërtimin e segmentit të Korridorit VIII nga Ura e Grykshit deri në hyrjen lindore të Peqinit. Fondi limit i parashikuar për të tre fazat arrin në 7.72 miliardë lekë.
Faza e parë ka fondin limit prej 2.87 miliardë lekësh, e dyta 2.37 miliardë lekë, ndërsa e treta 2.48 miliardë lekë.
Sipas projektbuxhetit, financimi për këto ndërhyrje parashikohet të nisë në vitin 2027, me një vlerë prej 2 miliardë lekësh. Nga kjo shumë, 800 milionë lekë do të shkojnë për fazën e parë dhe nga 600 milionë lekë për dy fazat e tjera.
Segmenti Ura e Grykshit–Peqin është pjesë e aksit të ri Elbasan–Lekaj, me gjatësi totale 40.7 kilometra. Rruga nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. Në gjashtë fazat e para, që përfshijnë rreth 20 kilometra, punimet kanë avancuar ndjeshëm.
Ndërkohë, për pjesën nga Peqini drejt Lekajt parashikohen edhe dy faza të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë lekësh. Financimi për to pritet të nisë në vitin 2029, me nga 600 milionë lekë për secilën fazë.
Zgjerimi i Korridorit VIII do të vijojë paralelisht edhe në drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë. Projektbuxheti parashikon 1 miliard lekë në vitin 2027 për nisjen e financimit të fazës së nëntë, e cila përfshin edhe tunelin e Hotolishtit dhe ka një vlerë të planifikuar prej 5 miliardë lekësh.
Në këtë aks janë hapur tashmë për qarkullim 7.5 kilometrat e parë, nga dalja e Labinot-Fushës deri pas fshatit Mirakë, me nga dy korsi për secilin drejtim.










