Fermerët kanë nisur prej më shumë se një muaji të përfitojnë subvencionet nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2026, për të cilën qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 5.2 miliardë lekësh.
Pagesat këtë vit do të kryhen në dy këste. Deri më tani, 34 mijë nga rreth 48 mijë fermerë përfitues kanë marrë këstin e parë, që përfaqëson 50% të mbështetjes financiare.
Procesi i shpërndarjes së fondeve vijon gradualisht, me qëllim që edhe fermerët e tjerë të përfitojnë mbështetjen financiare.
Ndërkohë, fermerët që kanë aplikuar për skemën e financimit përmes projekteve ende nuk kanë marrë pagesat. Kjo kategori kërkon një proces më të gjatë shqyrtimi, pasi përpara disbursimit të fondeve duhet të kryhet verifikimi i dokumentacionit.
Vonesat nuk pritet të përkthehen në detyrime të prapambetura për vitin e ardhshëm, ndërsa objektivi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Pagesave është që procesi të përmbyllet brenda dhjetorit.
Numrin më të lartë të aplikimeve këtë vit e ka sektori i blegtorisë. Për këtë kategori është parashikuar një fond prej rreth 4 miliardë lekësh, ose më shumë se gjysma e buxhetit të përgjithshëm të skemës.
Skema Kombëtare 2026 është shoqëruar me debate pas vendimit për heqjen e mbështetjes me naftë falas për fermerët. Ministria e Bujqësisë ka argumentuar se ndryshimet janë bërë pas 27 dëgjesave me fermerët në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, fermerët kundërshtojnë ndërprerjen e këtij përfitimi, duke argumentuar se rritja e kostove të prodhimit ka ndikuar edhe në çmimet e produkteve bujqësore në treg, duke i bërë frutat dhe perimet më të shtrenjta.










