Sekuestrohen 7.5 milionë euro pasuri në Vlorë, dyshohet se u përvetësua Fabrika e Miellit nr. 1

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro të një shtetasi me inicialet G.V., i dyshuar për përvetësimin e Fabrikës së Miellit nr. 1 në Vlorë përmes mashtrimit dhe më pas tjetërsimin e një pjese të pronës.

Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të tre shtetasve me inicialet A.C., V.Q. dhe G.Z., ndërsa nga hetimet për procedimin penal nr. 1748, të regjistruar më 28 nëntor 2025, dyshohet se G.V. ka përvetësuar objektin dhe truallin e fabrikës, duke e regjistruar në emrin e tij dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k.

Ky veprim dyshohet se ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të shoqërisë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një pjesë e pasurisë është tjetërsuar te dy shtetas të tjerë, me inicialet K.B. dhe Xh.Ç., veprim për të cilin Prokuroria dyshon se përbën edhe elementë të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Me kërkesë të organit të akuzës, është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për tetë pasuri të paluajtshme në Vlorë, të regjistruara në emër të G.V. dhe dy shtetasve të tjerë.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë ndërtesa dhe njësi me sipërfaqe 950 dhe 923 metra katrorë, si dhe truall prej 2,832 dhe 10,500 metrash katrorë në lagjen “1 Maji”.

Në listën e pasurive të sekuestruara janë edhe një truall prej 2,172 metrash katrorë, pjesë e objektit të Fabrikës së Miellit, dy depo me sipërfaqe totale 1,263 metra katrorë, një pjesë e katit të dytë të depos së grurit prej 127 metrash katrorë dhe një sipërfaqe trualli prej 25 metrash katrorë.

Shtetasi G.V. po hetohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.