Ulen tarifat e pasaportave dhe kartave të identitetit për tre kategori qytetarësh, ja sa do të paguajnë nga 1 janari 2027

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Sipas vendimit, për fëmijët nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës do të ulet nga 7,500 në 6,000 lekë.

Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa tarifa e pasaportës do të ulet në 6,000 lekë.

Ndërkohë, për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit do të ulet nga 1,500 në 1,000 lekë.

Ministri Demo e cilësoi vendimin si përmbushje të një angazhimi të deklaruar më herët, gjatë një daljeje publike më 2 tetor, duke theksuar se lehtësimi i kostove për qytetarët duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e shërbimeve publike.

“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve, duke garantuar se do të ndjekë personalisht zbatimin e vendimit.

“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!”, deklaroi Demo.