Është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë 49-vjeçari Kevin Margjoni, alias Arjan Margjoni, i akuzuar si një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikimit të 485 kilogramëve kokainë të sekuestruara në vitin 2022 në Frakull të Madhe të Fierit.
Policia e Shtetit njofton se ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit.
Sipas hetimeve, Margjoni dyshohet se kishte rolin e një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikut të drogës, e cila u zbulua në vitin 2022, e fshehur në thasë me pleh kimik në fshatin Frakull e Madhe të Fierit.
Në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
49-vjeçari akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ekstradimi u krye në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.










