Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Patosit.
Ngjarja është konstatuar rreth orës 05:05 të datës 16 nëntor, kur një 33-vjeçar, me inicialet M. P., banues në Patos, ka njoftuar sallën operative të policisë se i ishte dëmtuar porta rrethuese e banesës.
Sipas informacionit paraprak, dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga përdorimi i lëndës plasëse. Një tjetër detaj që bie në sy është fakti se 33-vjeçari rezulton me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikuar autorët e mundshëm dhe dokumentuar ligjërisht rastin.










