Ndreca nga burgu i Fierit: Veliaj mbahet në izolim të plotë, ky është persekutim shëndetësor

Avokati Plarent Ndreca, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, ka deklaruar se ende nuk është siguruar dokumentacioni që vërteton gjendjen shëndetësore të klientit të tij, duke e cilësuar situatën si absurde.

“Ky është një persekutim shëndetësor”, u shpreh Ndreca, duke ngritur shqetësime për mënyrën e trajtimit të Veliajt. Sipas tij, kryebashkiaku vijon të qëndrojë në ambientet e spitalit, në izolim të plotë dhe pa komunikuar me askënd, sikur të ishte një person i rrezikshëm.

I pyetur për kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, avokati e cilësoi atë si një të drejtë legjitime të një anëtari të kësaj force politike.

Ndërsa lidhur me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, Ndreca sqaroi se nisma synon të hetojë pretendimet për kërcënime, të cilat Veliaj i ka ngritur si shqetësim.

Avokati komentoi edhe qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj çështjes së kryebashkiakut, duke thënë se nuk ka dijeni për një qëndrim zyrtar të partisë, por vetëm për deklarata individuale.

“Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale”, deklaroi Ndreca.

Ai theksoi se nuk mund të thuhet se Partia Socialiste ia ka mbyllur derën Veliajt, duke lënë të paqartë qëndrimin institucional të kësaj force politike ndaj kërkesave të kryebashkiakut.