Gjendet i vdekur në hotelin në Berlin zv/kryeministri i Bavarisë, Hubert Aiwanger

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Bavarisë, Hubert Aiwanger, është gjetur i vdekur në një dhomë hoteli në Berlin, në moshën 55-vjeçare. Policia dhe prokuroria gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes, si dhe për të përjashtuar përfshirjen e një pale të tretë.

Aiwanger ndodhej në kryeqytetin gjerman për inaugurimin e një zyre të re të partisë së tij, Votuesit e Lirë, por nuk mori pjesë në aktivitet pasi nuk ishte ndier mirë. Trupi i tij u gjet më vonë në hotelin ku qëndronte.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, e cilësoi vdekjen e tij si një “tragjedi absolute”, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe dy fëmijët e politikanit.

Aiwanger drejtonte partinë Votuesit e Lirë në Bavari që prej vitit 2006. Nën udhëheqjen e tij, partia hyri për herë të parë në qeverinë rajonale në vitin 2018, si partnere e vogël e CSU-së.

Karriera e tij politike u shoqërua edhe me polemika, veçanërisht në vitin 2023, kur u përball me akuza lidhur me një pamflet antisemitik që dyshohet se kishte shkruar në moshën 17-vjeçare. Aiwanger mohoi autorësinë, kërkoi falje për çështjen, por refuzoi të jepte dorëheqjen.

Hetimet për vdekjen e tij vijojnë.