Patentat, ndryshon procedura për marrjen dhe rinovimin

Ndryshon procedura e kontrollit mjekësor për qytetarët që aplikojnë për marrjen ose rinovimin e lejes së drejtimit. Sipas rregullave të reja, dokumentacioni shëndetësor do të plotësohet dhe nënshkruhet elektronikisht nga mjekët, ndërsa rezultatet do t’i përcillen drejtpërdrejt DPSHTRR-së.

Procesi do të nisë te mjeku i familjes, i cili do të shqyrtojë kartelën shëndetësore të aplikantit. Më pas, qytetari do t’u nënshtrohet kontrolleve te specialistët e shikimit dhe dëgjimit, të cilët do të plotësojnë elektronikisht certifikatën mjekësore.

Në rastet kur evidentohen probleme shëndetësore ose dyshime për aftësinë fizike dhe psikike të drejtuesit, aplikanti mund të referohet pranë Komisionit Mjekësor, i cili vendos nëse ai është i aftë për drejtimin e automjetit, i aftë me kufizime apo i paaftë.

Një tjetër ndryshim lidhet me vlerësimin e sëmundjeve të kaluara. Sipas udhëzimit të ri, një sëmundje e kaluar dhe e shëruar nuk do të sjellë automatikisht kufizim të vlefshmërisë së patentës, pasi vlerësimi do të bazohet në gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarit.

Në përfundim, dokumentacioni do t’i dërgohet elektronikisht DPSHTRR-së, ndërsa dokumenti përfundimtar do t’i vihet në dispozicion qytetarit përmes platformës e-Albania.

Tarifat mbeten të pandryshuara. Procedura e re do të nisë pas aktivizimit të sistemeve elektronike, ndërsa deri atëherë do të vijojë të zbatohet udhëzimi i vitit 2015.