Marta Kos: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE-në deri në vitin 2027, por duhet të ruajë fokusin te reformat

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, por ka theksuar se vendi duhet të vijojë me vendosmëri reformat kyçe, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, pavarësisë së drejtësisë dhe lirisë së medias.

Gjatë fjalës në Parlamentin Evropian, ku prezantoi paketën e zgjerimit të BE-së, Kos bëri të ditur se Shqipëria ka mbyllur tashmë katër kapituj negociues dhe synon të mbyllë përkohësisht edhe kapituj të tjerë, me objektivin për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

Deklaratat e komisioneres evropiane vijnë në një moment kur Shqipëria po përballet me protesta kundër qeverisë, ku krahas akuzave për korrupsion dhe kërkesave për përgjegjësi politike, në qendër të debatit publik janë edhe funksionimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit.

Në këtë kontekst, Kos theksoi se respektimi i të drejtave themelore, mbrojtja e lirisë së medias dhe garantimi i një gjyqësori të pavarur duhet të jenë në qendër të çdo përpjekjeje për reforma.

Ajo veçoi gjithashtu çështjet mjedisore si një tjetër prioritet për Shqipërinë, duke nënvizuar se reformat nuk janë të rëndësishme vetëm për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, por edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Komisionerja evropiane vuri në dukje se përfshirja e të gjithë shoqërisë është thelbësore për suksesin e procesit të integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian synon të sjellë më shumë paqe, siguri dhe prosperitet në Union.

Megjithëse Shqipëria ka shënuar përparim në negociata, Kos nënvizoi se sfidat që lidhen me reformat duhet të adresohen për të garantuar avancimin e vendit drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.