Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se ulja e TVSH-së dhe heqja e taksës së qarkullimit synojnë të sjellin ulje të çmimeve për konsumatorët, ndërsa qeveria po shqyrton mekanizma për të garantuar reflektimin e plotë të këtyre masave në treg.
Sipas simulimeve të kryera me metodologjinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ulja e TVSH-së parashikohet të sjellë përfitime neto për familjet në të gjitha fashat e të ardhurave, me përfitimet më të mëdha për familjet me të ardhura të ulëta.
“Simulimi për uljen e TVSH-së është bërë sipas metodave të FMN-së. Simulimi parashikon jo vetëm uljen, por edhe rritjen nga 20 në 21 për qind dhe rezulton me një përfitim neto për familjet në të gjitha fashat e të ardhurave, por përfitimet më të mëdha i kanë familjet me të ardhura të ulëta”, u shpreh Malaj.
Ministri theksoi se për të garantuar që ulja e taksave të reflektohet plotësisht në çmimet për konsumatorët, po diskutohen mekanizma të posaçëm, përfshirë ngritjen e një bordi të përhershëm transparence.
“Po diskutohet nëse do të ketë një bord transparence permanent për të monitoruar çmimet. Po shohim edhe mundësinë e teknologjisë së informacionit ‘Price Watch’, për të parë si ndërtohet çmimi”, deklaroi Malaj.
Një tjetër masë e prezantuar nga ministri është ulja e pragut të TVSH-së për bizneset në 50 milionë lekë, një iniciativë që prek rreth 18 mijë biznese në vend.
Sipas Malajt, kjo masë është rekomandim i FMN-së, pasi Shqipëria aplikonte pragun më të lartë të TVSH-së.










