Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur motrës së 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë, pasi ajo kundërshtoi deklaratat e tij për transportimin e të riut drejt Italisë për trajtim të specializuar.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, motra e Vishkullit falënderoi personat që morën iniciativën për transferimin e tij, duke theksuar se udhëtimi drejt Italisë u mundësua nga fëmijët, miqtë dhe mbështetësit e familjes, dhe jo nga shteti shqiptar.
Ajo akuzoi gjithashtu portalet se po shpërndajnë lajme të pavërteta dhe propagandë, duke kundërshtuar pretendimin se Rama kishte dhënë urdhër për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit mjekësor.
Në reagimin e tij, Rama këmbënguli se iniciativa për dërgimin e 28-vjeçarit në Itali ishte marrë personalisht prej tij dhe se transporti me avion mjekësor, si dhe shpenzimet e kurimit, ishin mbuluar nga shteti.
Kryeministri bëri të ditur se e kishte takuar të riun përpara nisjes drejt Italisë, në sallën VIP të aeroportit, ku ndodhej së bashku me vëllanë e tij.
Rama theksoi se ndërhyrja nuk ishte bërë për protagonizëm, por për arsye humanitare, duke nënvizuar se edhe protestuesit e lënduar gjatë përplasjeve duhet të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, shkroi Rama, duke i uruar sërish shërim të shpejtë të riut.










