Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy shtetase, nënë e bijë, lidhur me vrasjen e një burri në fshatin Frashër të Patosit, në korrik të vitit 2025.
Sipas hetimeve, E.R. akuzohet se më 23 korrik 2025, në banesën e familjes, ka vrarë babanë e saj, A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, çka i ka shkaktuar asfiksinë dhe vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, V.R., akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas Prokurorisë, pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së policisë, ajo ka pastruar ambientin ku u gjet viktima dhe ka larë trupin e tij, me qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve të krimit.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se provat e mbledhura, përfshirë deklarimet, ekspertimin mjeko-ligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sendet e sekuestruara, mbështesin akuzat ndaj dy shtetaseve.
E.R. do të gjykohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa V.R. për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.










