Rama përsërit thirrjen për dialog, vendos një sofër prej guri para Kryeministrisë

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me studentët dhe protestuesit, duke vendosur një instalacion simbolik në shkallët hyrëse të Kryeministrisë.

Bëhet fjalë për një sofër rrethore prej guri, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “DIALOG”, e rrethuar nga jastëkë të kuq dhe të gjelbër.

Përmes këtij instalacioni, Rama përcjell mesazhin e gatishmërisë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të dëgjuar kërkesat e protestuesve, në një kohë kur në Tiranë pritet të zhvillohet protesta kombëtare, ku krahas studentëve pritet të bashkohen pedagogë, mjekë, artistë dhe të rinj nga rrethet.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje për dialog do të ndikojë në qëndrimin e protestuesve, të cilët prej ditësh vijojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.