Fier/ Ujësjellësi kërkon sërish rritjen e çmimit të ujit, pas kundërshtimit të mëparshëm nga Këshilli Bashkiak

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier ka kërkuar sërish rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve. Kërkesa e dytë është paraqitur më 9 shtator 2026 dhe tashmë është përfshirë në rendin e ditës për diskutim në mbledhjen e këtij muaji të Këshillit Bashkiak Fier.

Propozimi rikthehet në shqyrtim pasi kërkesa e mëparshme është kundërshtuar nga Këshilli Bashkiak, në një proces ku janë ngritur pikëpyetje për kostot e larta të operimit, humbjet në rrjet dhe shpenzimet e shoqërisë.

Në shkresën drejtuar kryetarit të Këshillit Bashkiak, Melsi Bogdani, shoqëria kërkon shqyrtimin dhe miratimin e tarifave të reja, duke argumentuar se nevoja për rritjen e tyre lidhet me situatën financiare dhe kostot e shërbimeve që ofron.

Debati për rritjen e çmimit të ujit ishte shoqëruar më herët me kundërshtime gjatë dëgjesës publike, ku keshilltari i Social Demokrateve ,Kreshnik Dapi, në emër të Kryesisë së Këshillit Bashkiak, kërkoi që drejtuesit e shoqërisë të japin llogari për kostot e operimit, shpenzimet e energjisë elektrike dhe personelit, si dhe humbjet e ujit në rrjet.

Sipas të dhënave të paraqitura në atë dëgjesë, kostoja direkte e operimit arrinte në 139.7 lekë për metër kub, ndërsa tarifa për familjarët ishte 60 lekë/m³. Po ashtu, 55–60% e ujit rezultonte i pafaturuar.

Pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme, kërkesa e 9 shtatorit rikthen në diskutim mundësinë e rritjes së tarifave për abonentët familjarë dhe kategoritë e tjera.

Ende nuk bëhen të ditura vlerat e reja të propozuara, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Këshilli Bashkiak do ta shqyrtojë sërish kërkesën dhe çfarë vendimi do të marrë.