Një çift bashkëshortësh ka mbetur i plagosur në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në autostradën Fier-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Kolonjës.
Automjeti tip fuoristradë ka dalë nga rruga, është përplasur me barrierat metalike dhe i ka kapërcyer ato, duke përfunduar në një kanal rreth pesë metra poshtë urës.
Për nxjerrjen e dy bashkëshortëve nga automjeti është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të Lushnjës dhe e personelit mjekësor. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë Rrugore, dyshohet se shpejtësia dhe lagështia në asfalt, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, kanë bërë që drejtuesi të humbasë kontrollin e automjetit dhe të mos arrijë të marrë rrethrrotullimin.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit. Fatmirësisht, ngjarja nuk ka shkaktuar viktima.
Rrethrrotullimi i Kolonjës është shënuar edhe më parë nga aksidente të rënda, disa prej të cilave me pasoja fatale.










