Monika Lubonja: Nuk kam dhënë pëlqim për filmimin apo publikimin e materialeve intime, i jam drejtuar drejtësisë

Aktorja Monika Lubonja ka reaguar publikisht pas publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, duke kërkuar ndalimin e asaj që e cilëson si baltosje dhe shkelje të privatësisë së saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Lubonja thotë se nuk ka pasur dijeni dhe nuk ka dhënë pëlqim për t’u filmuar apo regjistruar, ndërsa thekson se nuk ka autorizuar publikimin, shitjen apo shpërndarjen e materialeve intime.

Ajo shprehet se ka besuar dhe ka dashur, por besimi i saj është përdorur kundër saj.

Lubonja u ka bërë apel mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo spekulojnë me materiale intime. Ndërsa opinionit publik i kërkon të mos e kthejë situatën e saj personale në objekt argëtimi apo gjykimi.

Aktorja bën të ditur se i është drejtuar drejtësisë dhe se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund, duke shprehur bindjen se e vërteta do të dalë në dritë.

Në fund të reagimit, ajo thotë se i kërkon Zotit forcë për të përballuar këtë situatë dhe që dhimbja e përjetuar të mos e mbushë me urrejtje.

Postimi i Monika Lubonjës:

Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.

Kerkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt, të cilit i fala disa vite të jetës sime.

Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhenë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.

Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime.

Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.

I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund.

Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time!

Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e

vërteta do flasë.

Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj.