Veliaj nuk paraqitet ne seance ne GJykaten e Posacme :”Kam kemben e thyer”

Erion Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme në GJKKO, ndërsa përmes avokatit të tij i ka drejtuar një letër gjyqtarëve të posaçëm, ku kërkon të lejohet të kryejë operacionin për këmbën e thyer në një spital të përzgjedhur prej tij dhe familjes, dhe jo në atë që përcakton Drejtoria e Burgjeve.

Në letrën drejtuar gjykatës, Veliaj shprehet se dëshiron të operohet nga një mjek i zgjedhur prej familjes së tij, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e institucioneve për të vendosur se kush do ta trajtojë dhe do ta fusë në narkozë.

“Me gjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të Prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, shkruan Veliaj.

Ndërkohë, avokati i tij, Plarent Ndreca, ka kërkuar shtyrjen e seancës, duke argumentuar se nuk mund të vijojë mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Ai tha se kishte tentuar ta takonte Veliajn një ditë më parë në IEVP Fier, por nuk ishte lejuar.

“Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore”, deklaroi Ndreca.

Nga ana tjetër, prokurori Altin Dumani kundërshtoi kërkesën për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se në letrën e tij Veliaj nuk e ka kushtëzuar vijimin e procesit me praninë e tij dhe se mbrojtjes i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për konsultim.

“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, u shpreh Dumani.