Këshilli i Ministrave ka miratuar më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, i cili synon të vendosë rregulla të qarta për funksionimin e tregut të kriptomonedhave dhe shërbimeve të lidhura me to.
Nisma, e hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përafron legjislacionin shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian dhe bazohet në Rregulloren MiCA, kuadri i BE-së për tregjet e kripto-aseteve.
Projektligji përcakton rregulla për kompanitë që emetojnë kripto-asete, platformat e tregtimit dhe ofruesit e shërbimeve të tjera, duke përfshirë ruajtjen dhe këmbimin e aseteve digjitale, transfertat, këshillimin dhe administrimin e portofolave.
Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e kërkesave për licencimin dhe funksionimin e operatorëve, përfshirë kapitalin minimal, qeverisjen, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e konflikteve të interesit.
Kuadri i ri parashikon gjithashtu masa për rritjen e transparencës, parandalimin e abuzimit me tregun dhe pastrimin e parave, si dhe forcimin e mbrojtjes së investitorëve.
Sipas qeverisë, miratimi i projektligjit synon të krijojë një treg më të strukturuar dhe një bazë ligjore të unifikuar për aktivitetin e kripto-aseteve në Shqipëri, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.










