Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë aktivitetit të mbrëmshëm, ku u interpretua një këngë me përmbajtje nacionaliste kundër Kosovës.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Rama e cilësoi këtë veprim si të papërshtatshëm, duke theksuar se, pavarësisht nëse ishte i qëllimshëm apo rezultat i injorancës, nuk duhet të kalohet në heshtje.
Kreu i qeverisë u shpreh se një këngë me përmbajtje nacionaliste u interpretua nën titullin e unitetit, ndërsa theksoi se veprime të tilla nuk lëndojnë vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por rrezikojnë edhe rikthimin e tensioneve të së kaluarës në rajon.
Rama nënvizoi se prej vitesh ka mbështetur afrimin e Serbisë me Europën dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë, por kjo, sipas tij, nuk duhet të krijojë hapësirë për retorikë nacionaliste dhe qëndrime që i përkasin së kaluarës.
“Një të keqe që u bë dje përmes muzikës, nuk duhet ta kthejmë sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes”, deklaroi Rama, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët në transformimin e rajonit dhe ndërtimin e një të ardhmeje europiane.










