SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar këtë të hënë në gjykatë kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i pranishëm edhe grupi hetimor, i përbërë nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Prokurori Dritan Prençi bëri të ditur se hetimet janë përqendruar në dhjetë procedura prokurimi, mes tyre Tuneli i Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe procedura e prokurimit për Albcontrol.
Duke u ndalur te një procedurë me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi deklaroi se Balluku, në cilësinë e ish-ministres, megjithëse kompetencat kishin kaluar te struktura të tjera, kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procedurat.
Sipas prokurorit, qëllimi dyshohet të ketë qenë paracaktimi i kompanisë “Intecar SRL”. Ndërkohë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjylit, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi, kanë shpallur fituesit, ndërsa Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, ka miratuar preventivin me çmime të fryra.
“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, deklaroi Prençi.
Prokurori shtoi se gjatë hetimit janë konstatuar edhe veprime të kundërligjshme në procedurën për projektin, duke i shkaktuar, sipas SPAK, shtetit një dëm prej rreth 5 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave të bëra publike, akuzat ndaj Belinda Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, bëri të ditur se për hetimin e çështjes janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së hetimit.
Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, dosja tashmë i kalon gjykatës, e cila do të shqyrtojë akuzat dhe do të vendosë për vijimin e procesit gjyqësor.










