NATO anulon samitin e vitit 2027 në Shqipëri, Rutte: Jemi fleksibël për organizimin e takimeve

NATO nuk do të zhvillojë në Shqipëri samitin e liderëve të parashikuar për vitin 2027. Vendimi vjen në kuadër të riorganizimit të takimeve të nivelit të lartë të aleancës, në një kohë tensionesh mes vendeve anëtare për shpenzimet e mbrojtjes, qëndrimin ndaj Iranit dhe luftën në Ukrainë.

Sipas Associated Press, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se samiti nuk do të mbahet vitin e ardhshëm, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që Shqipëria ta presë atë në vitin 2028, nëse do të vendoset organizimi i një samiti në atë periudhë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka minimizuar rëndësinë e shtyrjes, duke deklaruar për AP se aleanca është fleksibël në organizimin e samiteve dhe se ato zhvillohen kur është e nevojshme.

“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne kemi samite kur kemi nevojë për to”, u shpreh Rutte.

Riorganizimi nuk prek vetëm samitet e liderëve, por edhe takimet ministrore. Ministrat e Mbrojtjes nuk kanë zhvilluar takimin e zakonshëm në tetor dhe nuk kanë një mbledhje të parashikuar për të njëjtin muaj të vitit 2027. Edhe ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë vetëm një takim vitin e ardhshëm, në vend të dy mbledhjeve që mbaheshin zakonisht.

Një nga çështjet që lidhet me shtyrjen e samitit në Shqipëri janë edhe shpenzimet për mbrojtjen. Shqipëria u përzgjodh në vitin 2025 për të pritur samitin e vitit 2027, por emri i saj u hoq nga një deklaratë e aleancës gjatë samitit të korrikut.

Sipas AP-së, disa vende anëtare kanë shprehur rezerva për nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë në mbrojtje. Për këtë vit, qeveria shqiptare parashikon të shpenzojë 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë sektor.

Objektivi i NATO-s është që deri në vitin 2035 vendet anëtare të arrijnë shpenzimet prej 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën dhe sektorët që lidhen me sigurinë.

Megjithatë, Shqipëria nuk është ndër vendet që shpenzojnë më pak për mbrojtjen. AP përmend Spanjën, Belgjikën dhe Slloveninë si vende që janë më larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara nga aleanca.

Organizimi i samiteve të NATO-s kërkon përgatitje të gjata dhe shpenzime të konsiderueshme. Samiti i vitit 2025 në Hagë i kushtoi Holandës rreth 100 milionë dollarë, ndërsa përgatitjet kishin nisur rreth një vit më parë.

Sipas zyrtarëve, NATO-s i duhej të merrte një vendim për organizimin në Shqipëri deri në tetor, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për përgatitjet.

Rutte ka theksuar se këto takime kërkojnë masa të mëdha sigurie dhe organizimi, pasi përveç 32 vendeve anëtare marrin pjesë edhe shtete partnere, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re.

I pyetur nëse organizimi i samiteve ia vlen pavarësisht kostove, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u përgjigj: “Ia vlen.”