U vra. U plagos. U dogj. U aksidentua. Zjarr në këtë qytet, përplasje në atë rrugw, konflikt në një tjetër cep të vendit.
Mjafton të hapësh portalet apo rrjetet sociale dhe këto janë ndër fjalët që has më shpesh. Ngjarjet e rënda janë bërë pjesë e pandashme e agjendës së përditshme mediatike. Por pyetja është: Pse lajmi i keq zë kaq shumë hapësirë?
Përgjigjja është e thjeshtë, por jo gjithmonë e këndshme: sepse lajmi i keq tërheq vëmendje.
Një vrasje prodhon menjëherë klikime. Një aksident shkakton reagime. Një zjarr sjell video, fotografi dhe komente. Njw konflikt bëhet shpejt viral. Emocioni është një nga mekanizmat më të fuqishëm të medias moderne dhe platformat online e kanë bërë këtë mekanizëm edhe më të fortë.
Por media nuk duhet të kthehet në pasqyrë të vetëm asaj që është më tronditëse.
Një shoqëri nuk përbwhet vetëm nga krimi, aksidentet, zjarret dhe tragjeditë. Çdo ditë ka mjekë që shpëtojnë jetë, mësues që edukojnë fëmijë, të rinj që studiojnë, biznese që hapin vende pune, fermerë që prodhojnë, njerëz që ndihmojnë të tjerët dhe qytete që ndryshojnë.
Këto ngjarje ndodhin gjithashtu. Vetwm se shpesh nuk kanë të njëjtën fuqi për të gjeneruar klikime.
Këtu nis përgjegjësia e medias.
Një vrasje duhet raportuar. Një zjarr duhet raportuar. Një aksident duhet raportuar. Publiku ka të drejtë të informohet. Por gazetaria nuk duhet të ndalet te titulli: “U vra”, “U dogj”, “U plagos”.
Duhet të vijë pyetja tjetër: Pse ndodhi? A mund të ishte parandaluar? Kush mban përgjegjësi? Çfarë thonë shifrat? Çfarë duhet të ndryshojë?
Nëse raportojmë çdo zjarr, por nuk flasim për menaxhimin e pyjeve dhe masat parandaluese, kemi informuar për ngjarjen, por jo për problemin.
Nëse raportojmë çdo aksident, por nuk analizojmë rrugët, shpejtësinë, sinjalistikën dhe sjelljen e drejtuesve, kemi treguar pasojën, por jo shkakun.
Nëse raportojmë çdo vrasje, por nuk ndjekim më pas hetimin, drejtësinë dhe faktorët që çuan te krimi, rrezikojmë që tragjedia të kthehet thjesht në një produkt konsumi.
Media nuk ka detyrimin t’i tregojë publikut se gjithçka është mirë. Përkundrazi. Detyra e saj është të tregojë të vërtetën, edhe kur ajo është e keqe.
Por e vërteta nuk është vetëm ajo që trondit.
Një media që publikon dhjetëra lajme për tragjedi dhe shumë pak për zhvillimin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën apo historitë njerëzore pozitive, gradualisht krijon një realitet të cunguar.
Dhe pas një kohe, publiku fillon të besojë se ky është i gjithë realiteti.
Ndoshta problemi nuk është se media publikon shumë lajme të këqija. Problemi është se publikon shumë pak lajme që e shpjegojnë realitetin përtej të keqes.
Gazetaria nuk duhet të jetë thjesht një kronikë e asaj që shkoi keq gjatë ditës.
Duhet të jetë edhe një përpjekje për të kuptuar pse shkoi keq, çfarë mund të bëhet më mirë dhe çfarë po bëhet mirë.
Sepse lajmi i keq mund të sjellë klikimin e parë.
Por lajmi i mirë, analiza dhe e vërteta e plotë janë ato që ndërtojnë besimin.










