Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm pranë kompleksit “Principote” në Ksamil.
Sipas të dhënave të deritanishme, konflikti dyshohet se ka nisur gjatë një feste të organizuar në kompleks, ku 20-vjeçari portugez ndodhej së bashku me disa miq francezë.
Përplasja dyshohet se ka nisur pas një debati për një vajzë shqiptare, ndërsa më pas në konflikt është përfshirë edhe Sokrat Vata, 29 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka punuar si orientues për turistët, ndërsa rezulton të ketë edhe precedentë penalë jashtë vendit.
Në sherr është përfshirë edhe efektivi i policisë Moisid Matushaj, i cili punonte në këtë biznes. Pas përleshjes fizike, ku Vata mbeti i plagosur, ai ka dalë në ambientet e jashtme dhe dyshohet se ka goditur me thikë 20-vjeçarin portugez, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën.
Pas krimit, Vata është larguar nga vendngjarja me ndihmën e Matushajt. Megjithatë, pasi 29-vjeçari ka kërkuar të dërgohej në spital për shkak të plagëve të marra gjatë përleshjes, efektivi dyshohet se e ka lënë gjatë rrugës dhe ka njoftuar policinë.
Në përpjekje për t’u larguar, Vata është kapur në Levan, i fshehur në bagazhin e një automjeti ku udhëtonin dy shtetas turq. Sipas deklarimeve të tyre, ata e njihnin 29-vjeçarin dhe e paguanin për të punuar si roje sigurie. Vata dyshohet se ishte futur në bagazh për t’iu shmangur postoblloqeve të policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e konfliktit dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë. Në kuadër të hetimeve priten edhe masa të tjera ligjore ndaj personave që dyshohet se kanë pasur rol në ngjarje.
Gjithashtu, pritet të sqarohet edhe pozicioni ligjor i pronarit të kompleksit “Principote”, Bekim Bulica, në lidhje me rrethanat në të cilat ndodhi konflikti dhe masat e sigurisë në ambientet e biznesit.










