Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën për përfundimin e punimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës në autostradën Tiranë–Durrës, në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Kontrata, me vlerë rreth 1.1 miliardë lekë me TVSH, është lidhur më 31 korrik me bashkimin e kompanive “Fusha”, “Udha” dhe “Taulant” sh.p.k. Afati i zbatimit është 12 muaj, deri më 31 korrik 2027.
Një nga ndërhyrjet kryesore parashikon ndërtimin e 6 mbikalimeve përgjatë këtij aksi. Ato do të ndërtohen pranë zonës së Veko Group, Universitetit Polis, pas QTU-së dhe urës së Lumit Lana në drejtim të Brunes, pranë FedEx Albania dhe në afërsi të pikës së karburantit Kastrati.
Sipas ARRSH-së, mbikalimet synojnë të përmirësojnë aksesin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës në zonat përreth, përfshirë edhe fshatin Yrshek.
Projekti përfshin gjithashtu ndërhyrje në ndriçimin rrugor dhe elementet e sigurisë, me instalimin e ndriçuesve LED dhe vendosjen e shtyllave të reja përgjatë segmentit.
Në kuadër të kontratës do të realizohet edhe veshja dekorative e mureve të nënkalimeve në zonën e ish-Sheshit Shqiponja, ndërsa në pjesët e amortizuara të autostradës do të kryhet riveshja e shtresave asfaltike.
Punimet synojnë përfundimin e ndërhyrjeve dhe përmirësimin funksional e estetik të segmentit të zgjeruar të autostradës Tiranë–Durrës, ku një pjesë është tashmë e hapur për qarkullim, ndërsa në seksione të tjera vijojnë punimet.









