European Democrats: Deklarata e Dua Lipës për “Flamingo Revolution” i dha jehonë ndërkombëtare kauzës për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri

European Democrats kanë reaguar pas deklaratës së artistes me famë botërore, Dua Lipa, lidhur me atë që është quajtur “Flamingo Revolution” në Shqipëri, duke vlerësuar se zëri i saj i ka dhënë jehonë ndërkombëtare debatit për mbrojtjen e mjedisit.

Në një reagim në rrjetet sociale, grupimi politik thekson se deklarata e artistes i jep dukshmëri globale një debati që, sipas tyre, çdo demokraci duhet ta përballet, duke ngritur pyetjen: “Kush përfiton realisht?”.

Sipas European Democrats, mbrojtja e natyrës nuk mund të varet nga ndryshime ligjore të kryera pa konsultim publik, ndërsa i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e qytetarëve.

Reagimi vjen pasi Dua Lipa shprehu publikisht mbështetjen e saj për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri, duke rikthyer në qendër të debatit projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura dhe ndikimin e tyre në natyrë.